Kthehu te BloguE Drejta Kushtetuese

Shteti nuk është një njeri: paketa kundër "anarkisë urbane" dhe kufijtë e ligjit

Av. Orjon Nallbati25 tetor 20269 min lexim

Në datë 25.10.2026, Kryeministri Edi Rama prezantoi atë që e quajti paketë ligjore kundër "dhunës dhe anarkisë urbane": gjashtë instrumente, të mbështetura mbi një parim që ai e përmblodhi në një fjali të vetme, protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmin e paguan ai që e shkakton. Me këtë parim nuk kam asgjë për të kundërshtuar. Kushtetuta dhe Kodi Penal e parashikojnë prej kohësh.

Problemi, në vlerësimin tim, qëndron te mënyra se si masat u shpallën dhe te logjika që i përshkon. Brenda një jave, i njëjti person ka paraqitur para kamerave fotografitë dhe "precedentët" e 45 qytetarëve, duke publikuar të dhëna për të kaluarën e tyre penale dhe duke krijuar përshtypjen e fajësisë për ngjarjet e protestës, përpara çdo vendimi gjyqësor për këto ngjarje; ka paralajmëruar një regjistër, kontrolle në kufi dhe, sipas raportimeve, ndalime për bileta dhe hotele; dhe, sipas Balkanweb, u është drejtuar disa të huajve me fjalët "do të gjeni belanë edhe në Europë". Hetuesi, gjyqtari, ligjvënësi dhe zbatuesi i ndëshkimit, të bashkuar në një podium.

Një saktësim: teksti i projektligjeve nuk është publikuar ende. Analiza mbështetet te deklaratat e Kryeministrit dhe te raportimet e mediave, dhe do ta rishikoj mbi tekstin zyrtar.

Ndarja e pushteteve nuk është formalitet

Neni 4 i Kushtetutës parashikon se "e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit", ndërsa neni 7 e ndërton sistemin e qeverisjes mbi ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushtetit ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Prej tyre rrjedh që askush, sado i lartë të jetë posti, nuk shpall dot fajtorë, cakton sanksione dhe premton zbatimin e tyre me fjalën e vet.

Kryeministri ka të drejtë të propozojë ligje: sipas nenit 81 të Kushtetutës, nisma ligjvënëse i takon, ndër të tjerë, Këshillit të Ministrave. Ligji, megjithatë, e merr fuqinë vetëm kur e miraton Kuvendi, mbetet nën kontrollin e Gjykatës Kushtetuese dhe, kur prek liritë e një personi konkret, kalon nga dora e prokurorit dhe e gjyqtarit. Kur masat paraqiten si të vendosura para se të ekzistojë një tekst projektligji, publikut i paraqitet një vullnet që i paraprin ligjit, jo një nismë ligjore. Ndarja e pushteteve lindi pikërisht kundër sovranit që e bënte vetë ligjin, gjykonte dhe ndëshkonte. Kushtetuta e vitit 1998 e ka bërë atë themel të qeverisjes, jo zbukurim.

Regjistri dhe kufiri

Paketa parashikon një regjistër elektronik për personat "e identifikuar si të dhunshëm" dhe kontrolle të thelluara kur ata kalojnë kufirin. Këtu duhen ndarë dy gjëra. Kontrolli i dokumenteve në kufi është kompetencë e zakonshme e policisë. Pengimi i daljes është tjetër punë: neni 38 i Kushtetutës parashikon shprehimisht se "askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit", dhe kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm me ligj, në përpjesëtim me gjendjen që e diktoi kufizimin, sipas nenit 17.

Në fushën penale, ky kufizim ekziston tashmë. Ndalimi i daljes jashtë shtetit është masë sigurimi personal: e kërkon prokurori, e vendos gjyqtari dhe zbatohet ndaj një personi konkret, të akuzuar për një vepër konkrete. Për këdo që ka hedhur molotov ndaj policisë, ky mjet mund të përdoret qysh nesër. Kryeministri ka deklaruar se përgjegjësia do të jetë individuale, se masat kufizuese do të jenë të përkohshme dhe se kufizimet e rëndësishme do t'i nënshtrohen kontrollit gjyqësor. Kjo është garanci e domosdoshme, por mbetet për t'u parë nëse projektligji do të parashikojë kontroll efektiv, ankim në kohë dhe kritere të qarta për hyrjen dhe qëndrimin në regjistër. Pa to, rreziku është që vendimi të kalojë faktikisht nga gjyqtari te një regjistër administrativ, i mbajtur nga i njëjti ekzekutiv që e ka shpallur listën. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në çështjen Stamose kundër Bullgarisë (2012), konstatoi shkelje të nenit 2 të Protokollit nr. 4 për një ndalim daljeje dyvjeçar që ishte vendosur pothuajse automatikisht, pa asnjë vlerësim të proporcionalitetit për personin konkret. Pyetjet për projektligjin janë të thjeshta: kush të fut në regjistër, me çfarë provash, për sa kohë dhe para cilit gjyqtar ankohesh.

"Do të gjeni belanë edhe në Europë"

Edhe këtu premtimi tejkalon kompetencën. Shqipëria nuk është pjesë e zonës Schengen dhe nuk regjistron dot askënd në sistemin e saj të informacionit. Për hyrjen e një shtetasi shqiptar në Itali apo në Gjermani vendos Italia apo Gjermania, sipas vlerësimit të vet. Tirana mund të ndajë informacion përmes kanaleve të bashkëpunimit policor, por nuk vendos dot për kufijtë e të tjerëve.

Për shtetasit e BE-së, siç janë protestuesit e ardhur nga Spanja, mbrojtja është edhe më e fortë. Sipas nenit 27 të Direktivës 2004/38/KE, kufizimi i lëvizjes së tyre brenda Unionit mbështetet vetëm në sjelljen personale, e cila duhet të përbëjë kërcënim real, aktual dhe mjaftueshëm të rëndë, ndërsa dënimet e mëparshme nuk mjaftojnë vetvetiu. Shqipëria mund t'i ndjekë penalisht dhe t'u ndalojë hyrjen në Shqipëri. Në Europë, jo. Një paralajmërim që nuk mbështetet në asnjë kompetencë ligjore nuk është masë shtetërore; është kërcënim personal.

Informacioni që do t'u dërgohej të tjerëve përbëhet nga të dhëna penale, që sipas nenit 10 të ligjit nr. 124/2024 përpunohen vetëm nën kontrollin e autoritetit kompetent ose me autorizim ligjor. Shkëmbimi ndërkombëtar i informacionit policor nuk është në vetvete i ndaluar, por duhet të ketë bazë ligjore, qëllim të ligjshëm dhe të respektojë domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe saktësinë e të dhënave. Kur një person i padënuar paraqitet si autor i provuar i një vepre penale, sikundër ndodhi me listën e 45 personave, lind edhe problemi i prezumimit të pafajësisë.

Hotelet dhe biletat

Sipas disa raportimeve, personat e dënuar nuk do të mund të blejnë bileta apo të rezervojnë hotel për tre vjet. Zbatimi i një mase të tillë do të kërkonte një mekanizëm verifikimi të personave të prekur, i cili mund të përfshinte përpunimin ose komunikimin e të dhënave penale te hotelet dhe kompanitë ajrore. Ligjshmëria e tij do të varej nga baza ligjore, garancitë e parashikuara dhe respektimi i proporcionalitetit. Një dënim për një vitrinë të thyer në Tiranë nuk e bën njeriun rrezik për një hotel në Durrës. Ndëshkimin, sikundër dihet, e vendos gjyqtari, jo recepsionisti.

Gjobat për prindërit

Sipas deklaratës së Kryeministrit, gjobat për të miturit mbi 14 vjeç do t'i paguajnë prindërit ose kujdestarët. Në debatin publik po ngatërrohen dy gjëra: dëmi dhe sanksioni.

Për dëmin, Kodi Civil ka dhënë prej kohësh përgjigje, dhe e jep të ndarë sipas moshës. Për fëmijën nën 14 vjeç, neni 613 i ngarkon përgjegjësinë prindërve, të cilët mund të çlirohen vetëm nëse provojnë se nuk mundën ta ndalonin dëmin. Për të miturin që ka mbushur 14 vjeç, neni 614 e ngarkon me përgjegjësi vetë të miturin, ndërsa prindërit përgjigjen në kushtet e parashikuara aty, ndër të tjera kur i mituri nuk ka të ardhura ose pasuri.

Sanksioni është tjetër. Sipas nenit 5 të ligjit nr. 10279/2010 "Për kundërvajtjet administrative", përgjegjësia për kundërvajtjet lidhet me zotësinë e plotë për të vepruar. Për këtë arsye, gjoba për pjesëmarrjen e një të mituri mbi 14 vjeç dhe kalimi i pagesës së saj te prindi kërkojnë një bazë ligjore të qartë, që të përcaktojë kush është subjekti përgjegjës dhe për cilën sjellje ndëshkohet. Nëse prindi ndëshkohet për fajin e vet, për shembull për mosmbikëqyrje të përcaktuar qartë në ligj dhe me të drejtën për të provuar të kundërtën, sanksioni mund të qëndrojë. Nëse ndëshkohet automatikisht, vetëm sepse fëmija ishte në protestë, ai paguan për veprën e tjetrit.

Në çështjen A.P., M.P. dhe T.P. kundër Zvicrës (1997), Strasburgu konstatoi shkelje të prezumimit të pafajësisë kur trashëgimtarët u gjobitën për evazionin e të ndjerit, sepse ndëshkimi i dikujt për veprën e tjetrit bie ndesh me parimet themelore të drejtësisë penale. Vendimi nuk do të thotë se çdo gjobë administrative ndaj prindit është e ndaluar. Do të thotë se, nëse gjoba cilësohet penale sipas kritereve Engel (klasifikimi në ligjin e brendshëm, natyra e shkeljes dhe ashpërsia e sanksionit), ajo nuk mund t'i kalojë dikujt tjetër pa fajin e tij.

Gjobat për turmën

Sipas Kryeministrit, gjoba deri në 500 mijë lekë do t'u vendoset personave që qëndrojnë në një tubim të dhunshëm edhe pas paralajmërimit të policisë, me përjashtime për gazetarët, mjekët, vëzhguesit dhe kalimtarët e rastësishëm. Gjoba më të ulëta janë paralajmëruar për tubimet "të paautorizuara". Për këto të fundit, kujtoj, sikundër kam shkruar edhe më parë, se në Shqipëri protesta nuk kërkon autorizim: ligji kërkon njoftim, jo leje, dhe Gjykata Kushtetuese, në vitin 2021, shfuqizoi dënimin për tubimin "pa leje".

Paralajmërimi i policisë e ndryshon pyetjen, por nuk e zgjidh. Mosbindja ndaj një urdhri të ligjshëm shpërndarjeje mund të sanksionohet. Pyetja juridike është nëse qëndrimi në një tubim ku të tjerët ushtrojnë dhunë mund të ndëshkohet pa provuar kushtet e përgjegjësisë individuale: që personi e mori vesh paralajmërimin, që kishte mundësi reale të largohej dhe që nuk u largua. Që nga Ezelin kundër Francës (1991), ku edhe një qortim disiplinor ndaj një avokati pjesëmarrës u konsiderua shkelje, Strasburgu e ka mbajtur këtë qëndrim: liria e tubimit paqësor nuk kufizohet për sa kohë personi vetë nuk kryen akt të dënueshëm. Një gjobë që godet këdo që ndodhej në shesh, pa këto prova, do të godiste pikërisht protestuesin paqësor.

Përfundimisht

Jo gjithçka në këtë paketë është e gabuar. Kompensimi i bizneseve të dëmtuara është i drejtë, ndërsa ndjekja penale e të dhunshmëve, ndalimi i daljes me vendim gjykate dhe padia civile për dëmin ekzistojnë që sot. Shteti i ka mjetet brenda Kushtetutës, dhe i ka pasur gjithmonë.

Ajo që paketa shton, në vlerësimin tim, nuk është një mjet i ri ligjor, por një mënyrë qeverisjeje në të cilën fjala e Kryeministrit paraprin ligjin, liston fajtorët para gjykatës dhe premton ndëshkime që nuk i takon t'i japë. Një shtet i së drejtës nuk matet nga ashpërsia me të cilën ndëshkon dhunën, por nga respekti për procedurat edhe kur ka të drejtë në thelb. Kur këto procedura anashkalohen, nuk humbet vetëm protestuesi; humbet çdo qytetar që, nesër, mund të gjendet në anën e gabuar të një liste.

Do ta analizoj tekstin e projektligjeve sapo të publikohet. Deri atëherë, studio jonë vazhdon të ofrojë falas konsultën juridike për çdo pjesëmarrës në protesta dhe për familjet e të miturve. Na kontaktoni.